Si ta Kuptoj Rriskun tim Kardiovaskular

   Vlerësimet e rriskut janë me tepër vlerë, kur bëhet fjalë për reduktimin e rriskut të sëmundjeve kardiovaskulare, për shkak se ato ndihmojnë për të përcaktuar ne qofte se pacienti është në rrisk të lartë për sëmundje kardiovaskulare dhe në qoftë se është kështu, çfarë  mund të bëhet për sa i përket adresimit të çdo rrisku kardiovaskular që pacienti mund të ketë. Më poshtë po ju paraqesim edhe çështjet kryesore të udhërrëfyesit për pacientin:

  • Vlerësimet e rriskut janë përdorur për të përcaktuar shansin apo gjasën e një pacienti për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, atak kardiak ose insult cerebral në të ardhmen. Në  përgjithësi pacientët në rrisk më të lartë për sëmundje kardiovaskulare, kërkojnë trajtim më intensiv për t’i ndihmuar ata që të parandalojnë zhvillimin e këtyre sëmundjeve.

  • Vlerësimet e rriskut janë llogaritur duke përdorur një numër faktorësh që përfshijnë moshën, gjininë, rracën, nivelet e kolesterolit dhe të presionit arterial, diabetin duhanpirjen dhe përdorimin e preparateve që ulin presionin arterial, pra antihipertensivëve te pacienti. Në mënyrë tipike, këta faktorë janë përdorur për të llogaritur një rrisk të pacientit për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare në 10 vitet e ardhshme. Për shembull, dikush i cili është i ri, pa ndonjë faktor rrisku për sëmundje kardiovaskulare, do të kishte një rrisk 10-vjeçar tepër të ulët për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Megjithatë, dikush i cili është më i madh në moshë, me faktorë rrisku si diabeti dhe presioni i lartë arterial, do të ketë një rrisk shumë më të lartë për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare në 10 vitet e ardhshme.

  • Në qoftë se plani i trajtimit parandalues është i paqartë, bazuar në kalkulimin e rriskut të parashtruar më sipër, personeli shëndetësor duhet që të marrë në konsideratë faktorët e tjerë të rriskut të tillë si anamnezën (historinë) familjare dhe nivelin e proteinës C-reaktive. Marrja në konsideratë e këtij informacioni shtesë, do të ndihmonte në hartimin e një plani trajtimi për reduktimin e rriskut 10-vjeçar të një pacienti, për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.

  • Përllogaritja e rriskut 10-vjeçar, duke përdorur faktorët tradicionalë të rriskut për sëmundje kardiovaskulare, rekomandohet që të kryhet çdo 4-6 vjet, te pacientët e moshës 20-79 vjeç, të cilët nuk vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare. Megjithatë, kryerja e vlerësimit të rriskut 10-vjeçar më të detajuar çdo 4-6 vjet, është e arsyeshme tek adultët e moshës 40-79 vjeç, të cilët nuk vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare. Vlerësimi i një rrisku 30 vjeçar për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, te një pacient, mundet gjithashtu të jetë me vlerë për pacientët e moshës 20-59 vjeç, të cilët nuk vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare dhe që nuk janë me rrisk afatshkurtër të lartë për sëmundje kardiovaskulare.

  • Llogaritjet e rriskut variojnë në mënyrë drastike, sipas gjinisë dhe rracës. Pacientët me të njëjtët faktorë rrisku tradicionalë për sëmundje kardiovaskulare, të tilla si presioni i lartë kardiovaskular, mund të kenë një rrisk 10-vjeçar të ndryshëm për sëmundje kardiovaskulare, si rezultat i seksit dhe i rracës së tyre.

  • Pasi personeli shëndetësor dhe pacientët kanë punuar së bashku për të kryer vlerësimin e rriskut, është e rëndësishme që ata të diskutojnë rezultatet e të dhënave të tyre. Së bashku, pacientët dhe personeli shëndetësor, duhet që të peshojnë rrisqet dhe përfitimet e trajtimeve të ndryshme si dhe të ndryshimeve në stilin e jetesës, për të ndihmuar në redukimin e rriskut për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.

Rekomandimet për sa i Përket Dietës dhe Aktivitetit Fizik

 

Dieta

  • Dieta është një “mjet” jetik për uljen e niveleve të kolesterolit dhe të vlerave të presionit arterial, të cilët janë dy faktorë madhorë rrisku për sëmundjet kardiovaskulare.

  • Pacientët me nivele të larta të kolesterolit dhe me vlera të larta të presionit arterial, duhet të konsumojnë sasi të mëdha perimesh, frutash dhe drithërash si dhe të përfshijnë në dietën e tyre, produkte ditore me sasi të ulët yndyrnash, pulë, peshk, bishtaja, vajra vegjetale jo tropikalë dhe fruta të thata. Gjithashtu, ata duhet që të kufizojnë konsumin e ëmbëlsirave, të pijeve me sheqer dhe të mishit të kuq.

  • Pacientët të cilët kanë të nevojshëm reduktimin e niveleve të kolesterolit në gjak, duhet që të reduktojnë konsumin e yndyrnave të saturuara dhe trans. Në mënyrë ideale, vetëm 5-6%  e konsumit të kalorive ditore, duhet të vijë nga yndyrnat e saturuara.

  • Pacientët me vlera të larta të presionit arterial, duhet që të konsumojnë jo më shumë sesa 2400 mg kripë gjelle në ditë, duke reduktuar në mënyrë ideale konsumin e kripës në 1500 mg në ditë. Megjithatë, edhe vetëm  reduktimi i konsumit të kripës në dietë në 1000 mg çdo ditë, mund të ndihmojë në uljen e vlerave të presionit arterial.

  • Eshtë e rëndësishme që të adaptohen rekomandimet e mësipërme, duke mbajtur parasysh kërkesat kalorike si edhe preferencat ushqimore personale dhe traditat kulturale. Gjithashtu, duhet që terapia e ushqyerjes të merret në konsideratë edhe për sëmundje të tjera si diabeti. Duke dhënë ndihmesë të madhe në këtë drejtim, krijohen modele të shëndetshme ushyerjeje të cilat janë reale dhe të qëndrueshme.

 

Aktiviteti fizik

  • Të ushtruarit në mënyrë të rregullt me aktivitet fizik, ndihmon në uljen e niveleve të kolesterolit dhe në reduktimin e vlerave të presionit arterial, duke reduktuar në këtë mënyrë edhe rriskun për sëmundje kardiovaskulare.

  • Në përgjithësi, adultët duhet të merren me aktivitet fizik aerobik 3-4 herë në javë, ku çdo sesion duhet të zgjasë mesatarisht 40 minuta.

  • Për të reduktuar nivelet e kolesterolit, rekomandohen nga aktiviteti i moderuar fizik (ecja e shpejtë, ose vrapi), deri tek aktiviteti fizik më i rëndë si vrapi i fortë apo çiklizmi.

 

Rekomandimet për sa i Përket Menaxhimit të Peshës Trupore

  • Përkufizimin e obezitetit: Obeziteti është një gjendje mjekësore, në të cilën sasi të mëdha të indit dhjamor, janë akumuluar në mënyrë të ekzagjeruar, gjë që mund të ketë një efekt të pafavorshëm mbi shëndetin e pacientëve që vuajnë prej tij. Obeziteti mund të diagnostikohet duke përdorur indeksin e masës trupore (BMI), një matje e gjatësisë dhe e peshës trupore, si edhe duke matur perimetrin e belit. Kategorizohen se vuajnë nga obeziteti, pacientët me BMI 30 ose më të madhe se 30.Obeziteti abdominal përkufizohet si perimetri i belit më i madh sesa 40 inch për një burrë, ose 35 inch për një grua.

  • Përfitimet e rënies në peshë: Obeziteti shton rriskun për gjendje serioze të tilla si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe vdekja, por rëniet sado të vogla në peshë, mund të rezultojnë në përfitime të ndjeshme shëndetësore. Për një adult, i cili është obez, humbja e vetëm 3-5% të peshës trupore, mund të përmirësojë vlerat e presionit arterial dhe të niveleve të kolesterolit si dhe të reduktojë rriskun për sëmundje kardiovaskulare dhe për diabet. Punonjësit e shëndetësisë rekomandojnë se në mënyrë ideale, përfitimet më të mëdha shëndetësore për adultët obezë, arrihen me rënien në peshë 5-10%.

  • Strategjitë e rënies në peshë: Nuk ka një dietë të vetme apo një program të vetëm të rënies në peshë, që funksionon më mirë për të gjithë pacientët. Në përgjithësi, konsumi i reduktuar kalorik dhe një ndërhyrje gjithëpërfshirëse në stilin e jetesës, që përfshin aktivitetin fizik dhe modifikimin e sjelljes, duke ja përshtatur këto preferencave të pacientit dhe gjendjes shëndetësore të tij, ka më tepër sukses për rënie të qëndrueshme në peshë. Gjithashtu, ndërhyrjet për të rënë në peshë duhet të përfshijnë takime të shpeshta me personelin shëndetësor dhe të zgjasin më shumë se një vit për rënie në peshë të qëndrueshme.

  • Kirurgjia bariatrike: Kirurgjia bariatrike mund të jetë një mundësi e mirë për shumë pacientë obezë për të reduktuar rriskun e tyre për ndërlikime shëndetësore dhe për përmirësimin e shëndetit në përgjithësi. Megjithatë, kirurgjia bariatrike duhet të rezervohet vetëm për pacientët me rriskun më të lartë, deri sa për këtë çështje të kemi më shumë të dhëna të disponueshme. Udhërrëfyesit aktualë këshillojnë që kirurgjia e përdorur për të rënë në peshë, të rekomandohet për pacientët me obezitet ekstrem (BMI ≥ 40), ose te pacientët që kanë një BMI ≥ 35 dhe një sëmundje kronike.

 

Rekomandimet për Menaxhimin e Kolesterolit në Gjak

Çfarë është SACV?

Ataku kardiak dhe insulti cerebral, zakonisht shkaktohen nga sëmundja aterosklerotike kardiovaskulare (SACV). SACV zhvillohet për shkak të një pllake me përmbajtje kolesteroli, e cila zmadhohet në mënyrë të vazhdueshme. Me kalimin e kohës, kjo pllakë mund të ngurtësojë dhe të ngushtojë arteriet. Këta udhërrëfyesë praktikë paraqesin trajtimet më të efektshme që ulin kolesterolin në gjak, tek ata individë që ka më shumë të ngjarë që të përfitojnë nga këto strategji. Ajo që është më e rëndësishmja, këta udhërrëfyesë u përzgjodhën si strategjitë më të mira për të ulur kolesterolin në gjak, për të ndihmuar në reduktimin e rriskut të ardhshëm për atake kardiake ose insulte cerebrale. Ndajeni këtë informacion me personelin  shëndetësor që ju ofron shërbimin shëndetësor, në mënyrë që të mund të bëni pyetje dhe të punoni së bashku, për të vendosur se cila është gjëja e duhur për tu bërë për ju.

 

Pika Kyçe

Bazuar në shikimin e plotë dhe të përditësuar të rezultateve të studimeve klinike të disponueshme:

  • Punonjësit e shëndetësisë duhet të fokusohen në identifikimin e atyre njerëzve, që kanë më shumë të ngjarë të kalojnë një atak kardiak ose insult cerebral dhe të sigurohen që po japin trajtimin e efektshëm, për të reduktuar rriskun tek këta persona.

  • Kolesteroli duhet të merret në konsideratë së bashku me faktorë të tjerë të njohur, që i rrisin gjasat për një atak kardiak apo insult cerebral.

  • Të dini rriskun tuaj për të zhvilluar një atak kardiak dhe insult cerebral, mund tju ndihmojë ju dhe personelin shëndetësor që të vendosni nëse mund të keni nevojë për të marrë medikamente - më të përdorshmet për të ulur këtë rrisk janë statinat.

  • Në qoftë se ju nevojiten medikamente, statinat rekomandohen si zgjedhja e parë për të ulur rriskun e atakut kardiak apo të insultit cerebral, ndërmjet disa pacientëve me rrisk më të lartë, bazuar në një numër më të madh të dhënash. Për ata që nuk mund të marrin statina, ekzistojnë medikamente të tjera që ulin kolesterolin; megjithatë, janë kryer më pak studime që mbështesin përdorimin e tyre.

 

Të Vlerësoni Rriskun Tuaj

  Personeli shëndetësor që kujdeset për ju, së pari do të vlerësojë rriskun tuaj të SACV (duke supozuar se ju deri më tani nuk e dini këtë rrisk). Ky informacion do të ndihmojë që të përcaktohet nëse ju jeni në rrisk mjaftueshëm të lartë për një atak kardiak apo për insult cerebral, për të konsideruar më pas mundësinë për trajtim. Duke bërë këtë gjë, personeli shëndetësor do të 1) rishikojë historinë tuaj mjekësore dhe 2) do të llogarisë rriskun tuaj të përgjithshëm për atak kardiak apo insult cerebral. Ai/ajo ka të ngjarë që të duan të dinë:

  • Nëse ju keni pasur ndonjëherë një atak kardiak, insult cerebral ose bllokime në arteriet e zemrës, qafës apo këmbëve.

  • Faktorët tuaj të rriskut. Përveç kolesterolit tuaj total, LDL kolesterolit dhe HDL kolesterolit (i ashtuquajturi kolesteroli i mirë), personeli shëndetësor do të marrë në konsideratë moshën tuaj, nëse vuani nga diabeti, nëse pini duhan dhe/ose keni presion të lartë arterial.

  • Rreth stilit tuaj të jetesës dhe zakoneve tuaja, sëmundje të tjera nga të cilat mund të vuani, ndonjë trajtim tjetër të mëparshëm medikamentoz dhe në qoftë se ndokush nga të afërmit tuaj të familjes, ka kolesterol të lartë ose ka vuajtur nga ndonjë atak kardiak ose insult cerebral në moshë të re.

  Si pjesë e këtij vlerësimi do të nevojitet një panel i lipideve ose i kolesterolit në gjak. Kjo analizë e gjakut, mat sasinë e substancave yndyrore (të quajtura lipide) në gjakun tuaj. Përpara se t’ju merret gjak për këtë analizë, mund të jetë e nevojshme që të agjëroni (të mos hani për një periudhë kohore).

Në qoftë se ka ndonjë pyetje rreth rriskut tuaj për SACV, apo nëse do të mund të përfitonit nga terapia medikamentoze, personeli shëndetësor mund të bëjë vlerësime të tjera ose të kërkojë teste të tjera. Rezultatet e këtyre testeve mund tju ndihmojnë ju dhe personelin shëndetësor, që të vendosni se cili do të ishte trajtimi më i mirë. Këto teste mund të përfshijnë:

  • Vlerësimin për rriskun tuaj jetësor - pra sa të ngjarë ka që ju të keni një atak kardiak dhe insult cerebral gjatë jetës.

  • Pikëzimin për kalcifikimin e arterieve koronare (CAC) - një test që tregon praninë e pllakës lipidike apo të lipideve, në muret e arterieve të zemrës.

  • Ndjeshmërinë e lartë të proteinës C-reaktive (PCR) - një test i gjakut që mat sasinë e PCR, një markues i inflamacionit ose i irritimit në trup; nivelet më të larta të PCR lidhen me ataket kardiake dhe me insultin cerebral.

  • Indeksi kyç i këmbës krah (ABI) - raporti i presionit arterial në kyçin e këmbës, krahasuar me  presionin arterial në krah, i cili mund të parashikojë sëmundjen e arterieve periferike (PAD).

  Në qoftë se ju keni nivele tepër të larta të lipoproteinave me densitet të ulët (LDL ose të kolesterolit “të keq”), personeli shëndetësor që ju trajton, mund të dojë të zbulojë nëse keni ndonjë formë gjenetike apo familjare të hiperkolesterolemisë. Kjo gjendje mund t’u trashëgohet gjenetikisht anëtarëve të tjerë të familjes.

 

Plani Juaj i Trajtimit

 Përpara se të vijë me një plan trajtimi specifik gati për ju, personeli shëndetësor duhet të diskutojë me ju, rreth mundësive për uljen e kolesterolit në gjak dhe për reduktimin e rriskut tuaj personal, për sëmundje aterosklerotike. Kjo ka gjasa që të përfshijë një diskutim rreth jetesës së shëndetshme për zemrën dhe faktin, nëse ju do të mund të përfitonit nga ndonjë preparat që ul kolesterolin.

 

Stili i Shëndetshëm i jetesës për Zemrën

 Adoptimi i një stili të shëndetshëm jetese për zemrën, vazhdon që të jetë mënyra e parë dhe më e mirë, për të ulur rriskun tuaj për probleme shëndetësore. Aplikimi i kësaj mënyre, mund të ndihmojë gjithashtu që të kontrolloni ose të parandaloni faktorë të tjerë rrisku (për shembull presionin e lartë arterial apo diabetin). Ekspertët sugjerojnë:

  • Konsumimin e një diete të pasur në perime, fruta dhe drithëra; kjo gjithashtu përfshin produktet e përditshme me përmbajtje të ulët yndyrnash shpendët, peshkun, drithërat dhe frutat e thata; ajo kufizon konsumin e ëmbëlsirave, pijeve të pasura me sheqer dhe të mishrave të kuq.

  • Aktivitetin e rregullt fizik; shqyrtoni me personelin shëndetësor, se sa shpesh dhe në çfarë mase duhet të ushtroheni.

  • Ruajtjen e një peshe të shëndetshme.

  • Të mos pihet duhan ose të kërkohet ndihmë për ta  lënë duhanin.

  • Të mbani në qendër të vëmendjes faktorët e rriskut dhe takimet me personelin shëndetësor. Për disa njerëz, vetëm ndryshimet në stilin e jetesës mund të mos jenë të mjaftueshme për të parandaluar një atak kardiak ose insult cerebral. Në këto raste, ka shumë gjasa që të jetë e domosdoshme, marrja e një statine në dozën e duhur.

 

Medikamentet

  Ekzistojnë dy lloje medikamentesh, që përdoren për uljen e nivelit të yndyrnave në gjak, statinat dhe jo-statinat.

 

Terapia me statina

  Ekziston një numër i madh të dhënash, që tregojnë se kur një statinë përdoret, i ka përfitimet mbi shëndetin më të shumta dhe problemet e sigurisë që lidhen me përdorimin e saj, më të pakta. Në veçanti, grupet specifike të pacientëve, duket se përfitojnë më së shumti nga përdorimi i terapisë me statina me intensitet të moderuar ose të lartë. Bazuar në këtë informacion, personeli shëndetësor që ju trajton, ka shumë të ngjarë që të rekomandojë një statinë, në qoftë se ju keni:

  • SACV

  • Nivel tepër të lartë të LDL kolesterolit (190 mg/dl ose më të lartë)

  • Diabet melitus tipi 2 dhe jeni person ndërmjet moshës 45 dhe 75 vjeç.

  • Keni më shumë gjasa që të keni një atak kardiak apo insult cerebral në 10 vitet e ardhshme (7.5% ose më tepër) dhe jeni ndërmjet moshës 45 dhe 75 vjeç.

  Në raste të veçanta, personeli shëndetësor që ju trajton, përsëri mund tju rekomandojë një statinë edhe në qoftë se ju nuk bëni pjesë në asnjë nga grupet e rriskut të përmendura më sipër. Ai/ajo për tju ndihmuar, do të marrin në konsideratën e përgjithshme gjendjen tuaj shëndetësore dhe faktorët e tjerë, në mënyrë që të vendosin nëse jeni ose jo në grupin e duhur të rriskut, për të përfituar nga përdorimi i një statine. Bazuar tek udhërrëfyesit, këta grupe mund të përfshijnë:

 

  • Histori familjare të atakeve kardiake apo të insulteve cerebrale të parakohëshme

  • Rriskun tuaj jetësor për SACV

  • Nivelin e LDL-kolesterolit ≥160 mg/dl

  • Hs-PCR ≥ 2 mg/dl

  • Rezultatet nga testimet e tjera specifike (pikëzimin CAC, ABI).

Në qoftë se po trajtoheni me një statinë, personeli shëndetësor që po ju trajton, do ta ketë të nevojshme që të gjejë dozën e duhur që ju përshtatet.

  • Njerëzit që mund të kenë pasur një atak kardiak, insult cerebral ose tipa të tjerë të SACV, kanë tendencën që të kenë më shumë përfitime nga përdorimi  i një statine në dozë më të lartë, në qoftë se ata e tolerojnë mirë këtë. Kjo mund të jetë më e përshtatshme, sesa të marrin më shumë medikamente për uljen e niveleve të kolesterolit.

  • Një dozë më e moderuar e statinës mund të jetë e duhura për disa njerëz me SACV, të tillë si ata që janë mbi 75 vjeç ose ata që mund të kenë probleme me marrjen e dozës më të lartë.

  Ndonjëherë, për ndonjë pacient të caktuar, është e nevojshme të përdoret më shumë se një statinë, përpara se të gjendet ajo që është më e efektshmja.

Në qoftë se ju jeni mbi 75 vjeç ose më i madh dhe nuk keni pasur asnjëherë atake kardiake, insulte cerebrale apo tipe të tjerë të ASCVD, do tju duhet që të diskutoni me personelin shëndetësor që ju trajton, nëse përdorimi i një statine, është i duhuri ose jo për rastin tuaj.

 

  Medikamente Të Tjera që Përdoren Për të Ulur Nivelin e Kolesterolit

Jo të gjithë pacientët do të jenë në gjendje që të trajtohen me dozën optimal të statinës. Pas tentativës për përdorim të ndryshimit të stilit të jetesës dhe terapisë me statina, mund të merren në konsideratë medikamentet jo-statina, në qoftë se ju jeni në rrisk të lartë për SACV, diabet ose vlera shumë të larta të LDL-kolesterolit (≥ 190 mg/dl) dhe:

 

  • Keni efekte anësore nga statinat, që ju privojnë nga marrja e dozës optimale, ose, kur nuk jeni fare në gjendje të përdorni dozën optimale të statinës.

  • Jeni të kufizuar nga marrja e një  doze optimale, si pasojë e trajtimeve të tjera që jeni duke përdorur, që përfshijnë:

  • Regjimet medikamentoze që përdoren për të parandaluar flakjen e transplanteve

  • Medikamentet e shumta për trajtimin e HIV-AIDS

  • Disa antibiotikë si eritromicina dhe klaritromicina apo medikamente të ndryshme antifungale.

Dhe si gjithmonë, është shumë e rëndësishme që të flisni me personelin shëndetësor që ju trajton, rreth asaj se cili medikament është i duhuri për ju.

 

Diçka rreth targetit që synon trajtimi 

Edhe pse mbajtja e niveleve më të ulta të kolesterolit me një dozë optimale statine, mbështetet së tepërmi nga studimet klinike, akoma nuk është arritur në një target specifik, se sa duhet mbajtur niveli i kolesterolit, te pacientët që trajtohen për hiperkolesterolemi.

 

Çfarë duhet të keni në qendër të vëmendjes për sa i përket rriskut tuaj

  • Ndërmerrni hapa për të ulur faktorët tuaj të rriskut për atakun kardiak, insultin cerebral dhe problemet e tjera - Bëni zgjedhje të shëndetshme (duke konsumuar një dietë të shëndetshme, duke kryer aktivitet fizik, duke ruajtur një peshë trupore të shëndetshme dhe duke mos pirë duhan). Terapia medikamentoze, në qoftë se është e nevojshme, mund të ndihmojë në kontrollin e faktorëve të rriskut.

  • Raportoni efektet anësore - Dhimbjet muskulore janë ato që raportohen zakonisht dhe mundet ose jo të jenë pasojë e statinave. Në qoftë se keni probleme, personeli shëndetësor që ju trajton, ka nevojë ta dinë këtë gjë, në mënyrë që t’ju ndihmojnë për menaxhimin e çdo efekti të mundshëm anësor dhe ndoshta, t’ju japin për përdorim ndonjë lloj tjetër statine.

  • Merrini medikamentet ashtu siç këshillohet.

  • Kryeni testet e gjakut për nivlin e kolesterolit si edhe testet e tjera që ju rekomandon personeli shëndetësor që ju trajton. Këto mund të ndihmojnë në vlerësimin e asaj, se sa terapia me statinë dhe doza e statinës, po funksionojnë te ju.

 

Pyetjet që mund të bëni për sa i përket rriskut tuaj si pacient:

  • Cilët janë faktorët e mi të rriskut për atak kardiak dhe insult cerebral? A jam unë i përfshirë në programin më të mirë parandalues, për minimizimin e këtij rrisku?

  • A është aq i lartë tek unë niveli i kolesterolit, që të konsiderohem si pacient që ka trashëgimi gjenetike për këtë gjendje?

  • Çfarë ndryshimesh në stilin e jetesës mund të bëj unë, që të qëndroj i shëndetshëm dhe të parandaloj problemet ?

  • A kam nevojë që të trajtohem me statina?

  • Si mund të monitoroj unë, se sa mirë po i bëj këto përpjekje?

  • Çfarë duhet të bëj unë, në qoftë se ndiej dhimbje dhe dobësi muskulore, pas fillimit të terapisë me statina?

  • Çfarë duhet të bëj unë, në qoftë se kam simptoma të tjera, pas fillimit të terapisë me statina?

 

Pika për tu Mbajtur Mend

4 Grupet që Përfitojnë nga Statinat

  • 1.Individët me sëmundje klinike Aterosklerotike Kardiovaskulare - sindroma koronare akute ose një histori për infarkt miokardi, anginë të qëndrueshme ose të paqëndrueshme, revaskularizim koronar ose revaskularizime të arterieve të tjera, insult cerebral, TIA, ose sëmundje të arterieve periferike, që supozohen të jenë me origjinë aterosklerotike, pa insuficiencë kardiake të klasës II-IV sipas Shoqatës kardiologjike të Nju Jorkut (NYHA), ose pacientë që kanë kryer hemodializë.

  • 2. Individët me rritje primare të Kolesterolit të Lipoproteinës me Densitet të Ulët              (LDL-C ) ≥ 190 mg/dl.

  • 3. Individët e moshës 40-75 vjeç me diabet dhe LDL-C 70-189 mg/dl pa SACV klinike.

  • 4 .Individët pa SACV klinike apo diabet, të cilët janë të moshës 40-75 vjeç, me LDL-C 70-189 mg/dl dhe që kanë një rrisk të llogaritur 10-vjeçar për ASCVD, prej 7.5% ose më tepër.

 

  Modifikimi i stilit të jetesës (dmth, ndjekja e një diete të shëndetshme për zemrën, kryerja e aktivitetit të rregullt fizik, shmangia e produkteve me përmbajtje nikotine dhe ruajtja e një peshe të shëndetshme trupore), mbetet një komponent vendimtar i promocionit shëndetësor dhe i reduktimit të rriskut për SACV, që të dyja përpara ose njëkohësisht përdorimit të trajtimeve për uljen e niveleve të kolesterolit.

Nuk ka të dhëna që mbështesin përdorimin e vazhdueshëm të targeteve të trajtimit, për sa i përket niveleve specifike të LDL-C dhe/ose Jo-HDL-C kolesteroli i Lipoproteinave me densitet jo të lartë. Për ata pacientë që kanë një rrisk ≥ 7.5%, është e rëndësishme që të ketë një diskutim mes pacientit dhe mjekut, rreth rriskut, përpara se mjeku të përshkruajë në recetë një statinë.

 

Terminologjia e zakonshme kardiovaskulare

Indeksi Kyç i këmbës - Krah (ABI)

Raporti i presionit arterial në kyçin e këmbës, krahasuar me presionnin arterial në krah, i cili mund të parashikojë sëmundjen e arterieve periferike (PAD).

 

SACV

Ataku kardiak dhe insulti cerebral, zakonisht shkaktohen nga sëmundja aterosklerotike kardiovaskulare (SACV). SACV zhvillohet për shkak të një pllake të pasur me kolesterol, që rritet gradualisht. Me kalimin e kohës, kjo pllakë mund të ngurtësojë dhe të ngushtojë arteriet.

 

Proteina C-reaktive

Proteina C-reaktive (PCR) mat në mënyrë të përgjithshme nivelet e inflamacionit në trupin tuaj. Nivelet e larta të PCR gjenden në rastet e infeksioneve dhe në shumë sëmundje, nga të cilat pacientët vuajnë për një kohë të gjatë. Megjithatë, një test i PCR nuk mund të tregojë se ku lokalizohet inflamacioni ose kush po e shkakton këtë inflamacion.

Kolesteroli

Kolesteroli është një substancë me konsistencën e dyllit apo të dhjamit, që “udhëton” nëpër gjak. Në vetvete, kolesteroli nuk është i keq. Në fakt ai ndihmon në krijimin e shtresës së jashtme të qelizave të trupit tonë dhe ndihmon trupin, që të sintetizojë vitaminën D dhe disa hormone të tjera.

 

Pikëzimi i Kalciumit Në Arteriet Koronare (CAC)

Një test, që tregon praninë e pllakës ose të shtresës yndyrore, në muret e arterieve të zemrës.

 

Sëmundja e Arterieve Koronare

Kjo ndodh kur arteriet tuaja koronare - të cilat luajnë rolin e linjave furnizuese, që ushqejnë zemrën me gjak - dëmtohen ose sëmuren. Ndodh një shtim i indit dhjamor dhe i kolesterolit në gjak, që ngjitet në pjesët e brendshme të mureve të arterieve (kjo gjithashtu  quhet aterosklerozë). Ndërsa ndodh kjo gjë, arteriet mund të ngushtohen ose të bllokohen. Mos harroni se, sëmundja e arterieve koronare në mënyrë tipike, zhvillohet me kalimin e dekadave; ndaj shumë njerëz as që e dinë se vuajnë prej saj, deri sa ajo fillon të shkaktojë probleme.

 

Kur ju vuani nga diabeti i tipi 2, trupi juaj nuk e përdor ose nuk e prodhon siç duhet insulinën. Si rezultat, sasia e sheqerit (glukozës) në trupin tuaj, rritet shumë. Me kalimin e kohës, nivelet e larta të glukozës në gjak, mund të fillojnë të dëmtojnë enët e gjakut në zemër, sy, veshka, tru dhe pjesë të tjera të trupit tuaj.

 

HDL

HDL kolesteroli (lipoproteina me densitet të lartë), ndonjëherë në artikujt mjekësorë gjendet me termin “kolesteroli i mirë“, pasi ai ndihmon në eliminimin e kolesterolit jashtë trupit. HDL e bën këtë gjë, duke u lidhur me kolesterolin në fluksin e gjakut dhe duke e çuar atë për përpunim në mëlçi. Nivelet më të larta të HDL, ndihmojnë në uljen e rriskut për sëmundje kardiovaskulare.

 

Ataku Kardiak

Muskuli juaj i zemrës ka nevojë për oksigjen dhe lëndë ushqyese, për të punuar ashtu siç duhet. Një atak kardiak (mjeku juaj mund ta quajë atë infarkt miokardi), zakonisht ndodh, kur fluksi i gjakut në zemër ndërpritet papritur. Kur ndodh kjo gjë, muskuli i zemrës vuan për gjak të pasur me oksigjen. Në një periudhë të shkurtër kohore, pjesë të zemrës mund të dëmtohen ose të vdesin. Ja përse dhënia e ndihmës së menjëhershme mjekësore, është vendimtare - ajo mund të shpëtojë zemrën tuaj dhe tju shpëtojë jetën. Në qoftë se mendoni se po kaloni një atak kardiak, telefononi menjëherë shërbimin e urgjencës në zonën ku jetoni, në numrin përkatës të telefonit.

 

Presioni i lartë arterial

Presioni arterial është forca e gjakut, që ushtrohet kundër mureve të arterieve tuaja. Me kalimin e kohës, presioni i rritur arterial mund të dobësojë zemrën tuaj, enët e gjakut, veshkat dhe pjesët e tjera të trupit.

 

LDL

LDL kolesteroli (lipoproteina me densitet të ulët), quhet ndonjëherë edhe “kolesteroli i keq”. LDL transporton kryesisht ind dhjamor dhe vetëm një sasi të vogël proteinash, nga mëlçia në pjesët e tjera të trupit. Një nivel më i lartë i LDL, konsiderohet faktor rrisku për sëmundjen e arterieve koronare (SAK), për shkak se, në kushte të caktuara, mund të shkaktojë ngurtësim të arterieve (aterosklerozë).

 

Sindroma metabolike

Sindroma metabolike është kombinimi i presionit të lartë arterial, nivelit të lartë të sheqerit në gjak, sasisë së madhe të indit dhjamor  rreth belit, nivelit të ulët të HDL kolesterolit (“kolesteroli i mirë“) dhe nivelit të lartë të triglicerideve. Sindroma metabolike lidhet ngushtësisht me rezistencën ndaj insulinës, gjendje në të cilën trupi nuk mund të përdorë në mënyrën e duhur insulinën. Sindroma metabolike rrit rriskun tuaj për sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe insult cerebral. Rënia në peshë dhe aktiviteti i shtuar fizik, mund të ndihmojnë në reduktimin e rriskut për sindromë metabolike.

 

Sëmundja e Arterieve Periferike

Sëmundja e arterieve periferike (PAD) është një ngushtim ose bllokim i arterieve, që shkakton fluks të paktë gjaku në duart dhe në këmbët tuaja. Kur ju ecni ose kryeni aktivitet fizik, muskujt e këmbëve nuk furnizohen mjaftueshëm me gjak dhe ju mund të keni krampe të dhimbshme të tyre.

 

Statinat

Statinat janë ai lloj preparatesh, që zakonisht përdoren për të trajtuar nivelin e lartë të kolesterolit në gjak. Statinat bllokojnë një enzimë, që i nevojitet trupit për të prodhuar kolesterol, duke ulur në këtë mënyrë sasinë totale të kolesterolit në gjak.

 

Insulti cerebral

Truri është qendra kryesore e kontrollit për trupin tuaj. Ai drejton pjesën më të madhe të asaj që ju bëni, duke orkestruar me shpejtësi lëvizjet, emocionet dhe aftësinë tuaj për të menduar, folur dhe mësuar. Për të bërë këtë gjë, truri juaj ka nevojë për një furnizim të vazhdueshëm me gjak të pasur me oksigjen dhe me lëndë yshqyese. Ja pse, kur ju kaloni një insult cerebral, kur fluksi i gjakut në tru ndërpritet - qelizat e trurit mund të vdesin shumë shpejt. Insulti cerebral është një shkak madhor i vdekjes dhe i invalidizimit tek adultët. Sipas Shoqatës Amerikane të Insultit Cerebral, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çdo 40 sekonda, ndodh një insult cerebral.

 

Trigliceridet

Trigliceridet janë një lloj yndyrnash, që gjenden në gjakun tuaj. Trupi i përdor ato, për të prodhuar energji. Disa trigliceride janë të nevojshme për një shëndet të mirë. Megjithatë, nivelet e larta të triglicerideve, mund të rrisin rriskun tuaj për sëmundje kardiovaskulare dhe mund të jenë një shenjë e sindromës metabolike.